Thursday, April 19, 2018
FutbollSport

Lazio – Roma, derbi i përjetësisë luhet për Championsin

Kryeqytetit italian bëhet gati për derbin Lazio – Roma, një ndër ndeshjet më të zjarrta jo vetëm në Kontinentin e Vjetër. Për të krijuar një ide më të qartë për rivalitetin e egër që karakterizon një përballje të tillë mjafton të kujtohet thjesht fakti që “Derby dell Capitale”, sa i përket kampionatit, nuk zhvillohej në mbrëmje prej plot pesë vjetësh. Dy ekipet janë përballur në mbrëmje në Kupën e Italisë, apo edhe në orën 18:00 në Serinë A, por jo në këtë orar, pra 20:45, pikërisht për të shmangur incidentet apo përplasjet e ashpra ndërmjet dy tifozerive.

Pesë muaj më herët në fazën e parë “verdhekuqtë” fituan takimin me rezultatin 2-1, sidoqoftë atmosfera asokohe ishte krejtësisht e ndryshme. Kjo është përballja e 148-të në historinë e Serisë A dhe e 170 gjithsej në Kupë dhe Kampionat ndërmjet këtyre dy skuadrave, gjithsesi dueli i sivjetshëm me shumë gjasa do të vlejë pjesëmarrjen në Champions League sezonin e ardhshëm, pasi shtatë javë përpara fundit Lazio dhe Roma janë mbërthyer në kuotë të njëjtë pikësh.

Të dy ekipet janë nën presionin e vazhdueshëm të Interit, me “zikaltrit” që, pavarësisht kalendarit të vështirë, paraqiten të çlodhur në pjesën përmbyllëse të sezonit, sidoqoftë Lazio për momentin qëndron sipër Romës vetëm në sajë të golaverazhit, pasi në fund, siç dihet, në rast se dy skuadra e mbyllin sezonin me numër të njëjtë pikësh si kriter bazë merren pikërisht ndeshjet direkte. Si asnjëherë tjetër në histori derbi I Romës po bëhej gati për duelin ndoshta më të lavdishëm në histori, pas përmbysjes epike të Romës që ktheu në Champions disavantazhin 4-1 me fitoren mbresëlënëse 3-0, për më tepër ndaj një skuadre si Barcelona dhe pritshmërive që Lazio kishte në Europa League, ku “bardhekaltrit” vetëm sa duhet të mbronin suksesin 4-2 të ndeshjes së vajtjes.

Nëse Roma ia doli mbanë për t’u kthyer në fazën gjysmëfinale të trofeut më të rëndësishëm kontinental, pas plot 34 vjetësh, Lazio në krahun tjetër dështoi për t’u kualifikuar mes katër skuadrave më të mira në Europa League, sepse ekipi i Simone Inzaghit në mënyrë të habitshme pësoi plot tre gola në harkun e vetëm katër minutave, duke i lëshuar udhë klubit të Salzburgut. Mbetet për t’u parë sesa do të influencojë aspekti psikologjik, megjithatë është e qartë që skuadra e Romës paraqitet në stadiumin “Olimpico” shumë më e qetë. Inzaghi i ka që të gjithë futbollistët në dispozicion, ndërsa te “verdhekuqtë” argjentinasi Diego Perotti nuk është ende gati.

Natyrisht që në një duel të tillë mund të influencojë edhe lodhja, pasi Roma ka në favor dy ditë më tepër pushim. Skuadra e Eusebio Di Francescos e luajti ndeshjen me Barçën të martën në mbrëmje, megjithëse për hir të së vërtetës ekipi i Lazios nuk është se harxhoi shumë energji dhe nënvlerësoi skuadrën kundërshtare, duke menduar më shumë për derbin me Romën. “Verdhekuqtë” kanë fituar tre përballjet e fundit, duke llogaritur Lazio-n si skuadër vendase, por mbi të gjitha Roma ka ditur t’i interpretojë më mirë ndeshjet e fundit ndërmjet tyre.

Roma ka një bilanc shumë më të mirë në sfidat ndërmjet tyre, madje edhe nga 10 takimet e fundit “verdhekuqtë” kanë humbur vetëm një prej tyre. Ndeshja pritet me shumë emocion jo vetëm në kryeqytetin italian, pasi ofron duele vërtet tepër interesante: si Alisson përballë Strakoshës, apo qoftë edhe sfidës tjetër në distancë mes dy sulmuesve më të mirë të këtyre skuadrave, Ciro Immobile dhe Edin Dzeko. Të gjithë të apasionuarit e futbollit italian do të kenë mundësi për të shijuar derbin roman në Supersport, në orën 20:45 dhe takimi i është besuar 43-vjeçarit Paolo Silvio Mazzoleni, arbitër të cilin edhe shqiptarët e njohin vërtet shumë mirë, pasi ka drejtuar ndeshjen e fundit të edicionit të kaluar të Kategorisë Superiore në Shkodër Vllaznia – Tirana./sn/

Leave a Response